Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar detaje nga diskutimi që kishte me kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Abdixhiku tha se gjatë takimit e kishte pyetur Kurtin nëse synimi është arritja e një marrëveshjeje apo shkuarja në zgjedhje.

“A i kemi këto takime sa për sy e faqe? Që bëhemi se po takohemi dhe në fund përfundojmë në zgjedhje dhe këtë punë e marrim vesh për pak ditë, apo do të shkojmë drejt zgjedhjes së presidentit?”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, ekzistojnë tri alternativa për procesin e zgjedhjes së presidentit. E para, tha ai, është imponimi i një kandidature, gjë që sipas Abdixhikut do të çonte vendin drejt zgjedhjeve parlamentare.

“Në qoftë se imponon kandidaturë, atëherë shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nënshtrim, nuk nënshtrohet askush”, theksoi ai.

Abdixhiku shtoi se Kurti i ka thënë se nuk ka qëllim për imponim të kandidatit. Në këtë rast, sipas tij, mbeten edhe dy mundësi të tjera: gjetja e një kandidati konsensual pa përkatësi partiake, ose arritja e një marrëveshjeje klasike politike mes partive.

“Mu tha që jemi për këto të dyja. Preferojmë konsensusin e gjerë”, u shpreh Abdixhiku.